Shtëpia ku lindi Faik Bej Konica, në fshatin Konicë në Greqi, ndodhet sot në një gjendje të rënduar dhe rrezikon të zhduket për shkak të mungesës së ndërhyrjeve restauruese. Godina historike, e njohur si shtëpia e Hysen Bej Shishkos dhe e identifikuar si e tillë edhe nga autoritetet greke, është lënë në harresë, e mbuluar nga bimësia dhe me dëmtime të shumta strukturore.
Shqetësimin për gjendjen e objektit e ngre Beqir Potka, një prej 17 filantropëve shqiptarë që kontribuuan në rikthimin e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Ai u bën thirrje institucioneve shqiptare të nisin bashkëpunimin me autoritetet greke për restaurimin e godinës, duke theksuar se financimi mund të sigurohet me mbështetjen e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Potkës, Faik Konica ishte një nga figurat që i dha zë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe ndikoi në njohjen e çështjes shqiptare jashtë vendit. Ai shprehet i gatshëm, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, të kontribuojë që kjo banesë të restaurohet dhe të shndërrohet në një muze kushtuar jetës dhe veprës së Konicës.
“Ne do të japim kontributin tonë që kjo shtëpi të marrë vlerën që meriton dhe të kthehet në një muze për një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar. I bëj thirrje edhe shtetit shqiptar të ndërmarrë hapat e nevojshëm, pasi ashtu siç u bë i mundur kthimi i eshtrave të Faik Konicës në atdhe, mund të realizohet edhe restaurimi i kësaj godine,” u shpreh Potka.
Pavarësisht dëmtimeve të shumta, shtëpia mbetet një simbol i rëndësishëm historik, pasi pikërisht aty kaloi vitet e para të jetës një prej mendimtarëve, publicistëve dhe diplomatëve më të rëndësishëm të historisë shqiptare.
Tashmë mbetet në dorën e institucioneve dhe iniciativave qytetare nëse kjo godinë do të vazhdojë të degradojë, apo do të marrë statusin që meriton si një muze i dedikuar trashëgimisë së Faik Konicës dhe historisë kombëtare.