Nga perceptimi shoqëror te operacionet e dhimbshme për zgjatjen e këmbëve, burrat më të shkurtër po përballen me një betejë të vështirë ndaj paragjykimeve që lidhen me gjatësinë.
Nuk është e nevojshme të kërkosh larg për të gjetur burra të shkurtër që ia kanë dalë në jetë. Megjithatë, shpesh arritjet e tyre shoqërohen me paralajmërimin se kjo ka ndodhur “pavarësisht gjatësisë së tyre”. Këta burra shpesh quhen me humor “mbretër të shkurtër” – meshkuj që, ndonëse nuk i afrohen standardeve të zakonshme të gjatësisë, arrijnë të sigurojnë partnere tërheqëse dhe karrierë të suksesshme falë vetëbesimit.
Por realiteti është më i ashpër: pavarësisht suksesit, gjatësia e tyre nuk kalon pa u vënë re. Diskriminimi për shkak të lartësisë është i pranishëm dhe shpesh i dhimbshëm.
Në shoqërinë moderne, shumë burra nën 170 cm ndihen sikur po luftojnë një betejë të humbur ndaj një “armiku të padukshëm”: preferencës femërore për burra më të gjatë. Statistikat e aplikacioneve të takimeve e vërtetojnë këtë: pothuajse 50% e grave kërkojnë partnerë mbi 1.80 m, ndërsa burrat që i plotësojnë këto kritere marrin deri në 40% më shumë përputhje.

Ky standard bën që burrat më të shkurtër shpesh të përjetojnë vetëbesim të ulët, refuzime të vazhdueshme dhe, në raste ekstreme, mendime vetëvrasëse. Në forume online, shumë prej tyre rrëfejnë se ndihen “të papërshtatshëm” dhe të padukshëm në jetën romantike.
Shkencëtarët shpjegojnë se dëshira për partnerë më të gjatë lidhet me faktorë evolucionarë dhe shoqërorë. Gjatësia perceptohet si simbol sigurie dhe statusi. Të qëndrosh pranë dikujt më të gjatë ndjell ndjesinë e mbrojtjes, ndërsa historikisht burrat e gjatë janë parë si më të fuqishëm, të suksesshëm dhe të dëshirueshëm.
Termi “kompleksi i Napoleonit” përdoret shpesh për të përshkruar burrat e shkurtër që, sipas disa studimeve, mund të sillen më agresivisht për të kompensuar gjatësinë. Por kritikët e këtij perceptimi pyesin: a është kjo pasojë e karakterit, apo e diskriminimit të vazhdueshëm?
Ironikisht, statistikat tregojnë se burrat më të shkurtër martohen më vonë, por martesat e tyre janë shpesh më jetëgjata dhe më të qëndrueshme.
