Një raport i Parlamentit francez ka rekomanduar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për adoleshentët nga 15 deri në 18 vjeç, për të frenuar ndikimet negative në shëndetin mendor të të rinjve.
Sipas raportueses së komisionit parlamentar, Laure Miller, një masë e tillë do të dërgonte një mesazh të qartë si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit, se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme në moshë të hershme.

Komisioni u ngrit në mars pas disa proceseve gjyqësore kundër TikTok-ut në Francë, ku shtatë familje paditën platformën duke e akuzuar se i ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që nxisin vetëvrasjen. Një nga rastet më të rënda ishte ai i Penelopes, një vajze 18-vjeçare që kreu vetëvrasje në vitin 2024, pasi kishte parë dhe publikuar video me përmbajtje vetëdëmtuese në TikTok.
TikTok ka deklaruar se siguria e të rinjve është prioriteti i tyre, duke theksuar se 98% e përmbajtjeve të papërshtatshme janë hequr në Francë gjatë vitit të kaluar. Por raporti i komisionit nënvizon se përmbajtjet e dëmshme vijojnë të qarkullojnë dhe të shkaktojnë probleme si çrregullime të gjumit, humbje të vëmendjes dhe rënie të vetëvlerësimit.
