Rreth 6,000 efektivë të forcave të armatosura dhe strukturave të sigurisë italiane protestuan të shtunën në Romë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës, paga më të larta dhe një sistem pensionesh më të favorshëm. Në këtë mobilizim, i pari i organizuar së bashku nga sindikatat kryesore të sektorit, morën pjesë përfaqësues të Ushtrisë, Marinës, Forcave Ajrore, Karabinierëve dhe Guardia di Finanza.
Protesta u mbajt pak ditë pasi qeveria italiane miratoi marrëveshjen e re kolektive për rreth 430 mijë punonjës të mbrojtjes dhe sigurisë. Marrëveshja parashikon një rritje mujore bruto prej 188 eurosh, një bonus të njëhershëm prej 2,448 eurosh, si dhe hapjen e negociatave për reformimin e sistemit të pensioneve. Megjithatë, një pjesë e sindikatave refuzuan ta firmosnin dokumentin, duke argumentuar se masat e propozuara nuk plotësojnë nevojat reale të punonjësve.
Me moton “Çdo ditë i shërbejmë Italisë. Sot kërkojmë respekt”, protestuesit kërkuan ndryshime në skemën e pensioneve, kundërshtuan rritjen e moshës së pensionimit në 65 vjeç dhe kërkuan mbrojtje më të madhe ligjore gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, ata kërkuan që pagat të përshtaten me rritjen e kostos së jetesës, si dhe investime më të mëdha në rekrutimin e personelit, trajnimin profesional dhe modernizimin e forcave të sigurisë. Tubimi përfundoi me një konferencë ku u diskutua për sfidat dhe të ardhmen e sektorit të mbrojtjes, sigurisë dhe shërbimeve të emergjencës në Itali.