Si ta bëni fëmijën tuaj ta urrejë shkollën në vetëm 5 hapa!
Një mesazh i fortë për prindërit nga logopedja Laurena Brako Jusufi: Ndonjëherë, mënyra si i motivojmë fëmijët mund të bëhet pikërisht ajo që ua shuan dëshirën për të mësuar.
“Si ta bëni fëmijën tuaj ta urrejë shkollën në pesë hapa të thjeshtë?” Kështu e nis me ironi mesazhin e saj logopedja Laurena Brako Jusufi, duke vënë në dukje disa nga sjelljet që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhënien e fëmijëve me shkollën dhe procesin e të nxënit.
Pesë hapat që ajo rendit janë të thjeshtë, por pasojat e tyre mund të jenë të thella: t’i thuash fëmijës se nuk po përpiqet mjaftueshëm, ta krahasosh vazhdimisht me të tjerët, të vësh re vetëm gabimet, ta mbash për orë të tëra mbi detyrat pa pushim dhe të mos ia vlerësosh kurrë përpjekjen.
Në pamje të parë, disa prej këtyre sjelljeve mund të duken si mënyra për ta nxitur fëmijën të bëjë më shumë. Por për një fëmijë me ADHD, ato mund të kthehen në një burim të vazhdueshëm stresi, frustrimi dhe ndjenje dështimi.
Kur fëmija fillon të besojë se nuk është mjaftueshëm i mirë
Fëmijët me ADHD mund të përballen me vështirësi në përqendrim, organizim, menaxhimin e kohës dhe përfundimin e detyrave. Kjo do të thotë se ajo që për një fëmijë tjetër mund të jetë një detyrë e zakonshme, për ta mund të kërkojë shumë më tepër përpjekje.
Kur prindi sheh vetëm rezultatin dhe jo përpjekjen që fshihet pas tij, fëmija mund të fillojë ta perceptojë veten si të paaftë. Krahasimet me bashkëmoshatarët, kritikat e vazhdueshme dhe mungesa e vlerësimit mund të dëmtojnë vetëbesimin dhe ta bëjnë shkollën një përvojë që lidhet me ankthin dhe dështimin.
Laurena tërheq vëmendjen edhe te ndikimi i stresit të zgjatur, i cili mund të ndikojë në funksionet njohëse që lidhen me kujtesën, vëmendjen dhe të nxënit.
Pesë hapa të tjerë që bëjnë ndryshimin
Në vend të këtyre sjelljeve, mesazhi i saj është i qartë: prindërit duhet të ndryshojnë mënyrën se si e mbështesin fëmijën.
- Vlerësoni përpjekjen, jo vetëm rezultatin.
- Mos e krahasoni me fëmijët e tjerë. Çdo fëmijë ka ritmin e vet.
- Mos u përqendroni vetëm te gabimet, por vini re edhe përparimin më të vogël.
- Ndajini detyrat në pjesë të vogla, duke i dhënë fëmijës kohë për pushim.
- Vlerësojeni në momentin e duhur, në mënyrë që të kuptojë se përpjekja e tij ka rëndësi.
Fëmija nuk ka nevojë të ndihet i dështuar për të mësuar
Asnjë prind nuk i bën këto gjëra me qëllimin për ta lënduar fëmijën. Shpesh, pas tyre qëndron dëshira për ta parë atë të suksesshëm. Por suksesi nuk ndërtohet përmes presionit të vazhdueshëm dhe frikës nga gabimi. Si drejtuese shkencore dhe logopede pranë Dyslexia Centers Pavlidis Method në Tiranë, Laurena Brako Jusufi përcjell një mesazh të rëndësishëm për familjet: fëmijët kanë nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe një mjedis ku mund të mësojnë pa u ndier vazhdimisht të gjykuar.
Sepse një fëmijë nuk duhet të mësojë se është i suksesshëm vetëm kur nuk gabon. Ai duhet të mësojë se mund të përparojë edhe kur gjërat janë të vështira.